Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar sot se kërkesa e Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nuk ka pasur asnjëherë qëllimin e integrimit të serbëve lokalë të Kosovës. Por, sipas tij, synimi është të vendoset një “Kal i Trojës” në Kosovë për ta bërë vendin jofunksional.
“Kosova vazhdimisht ka paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar për arsyen e vërtetë të Serbisë për insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni kurrë nuk ka pasur për qëllim t’i integrojë serbët lokalë në Kosovë, por si kali i Trojës i Beogradit për ta bërë shtetin jofunksional, duke përgatitur kështu rrugën për ndarje”, shkroi Bislimi në Twitter.
“Themelimi i Asociacionit duhet të jetë imperativi kyç për politikëbërësit serbë, duke ofruar një bërthamë për qëllimin shekullor të bashkimit të kombit serb”, citoi Bislimi pikat e “Non Paperit”. “Non-paper shpjegon në mënyrë të përsosur këmbënguljen e Beogradit për Asociacionin, por duhet ta bëjë komunitetin ndërkombëtar të rishqyrtojë këmbënguljen e vetë.
Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët. Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.