Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu Kodra ka kërkuar sqarime nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, për reagimin në Twitter të zëvendëssekretarit të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Në Komisionin për Integrime Evropiane, deputetja ka thënë se është përgënjeshtruar zëvendëskryeministri Bislimi. E ky i fundit ka mohuar se është përgënjeshtruar nga Berge.
“Ka qenë një postim në Twitter ku zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge ju përgënjeshtron juve, kur thotë se ju e keni marrë përkrahjen e Këshillit Evropian për t’u anëtarësuar në mekanizmat evropian. Për neve ka qenë e pa pritur një shkarje e tillë. A mendoni se e keni rrezikuar këtë proces dhe në qëndrimet e tilla humbet kredibiliteti i rolit tonë negociues si Kosovë?”, pyeti ajo.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se është i detyruar ta përgënjeshtrojë deputeten Kodra-Deliu.
“Nuk jam zëvendëskryeministër i Twitter-it , jam zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, unë nuk them se prej të gjitha takimeve në Strasburg, takimi më produktiv, edhe më i mirë ka qenë takimi me Berge. Më duhet t’iu përgënjeshtrojë kur thoni se Berge iu ka përgënjeshtruar, ai nuk ka përgënjeshtruar. Ai vetëm e ka korrigjuar një term. Unë nuk kam thënë që ai e ka pranuar, ai ka mirëpritë kam thënë. Është mirëpritë, është një term që zakonisht në gjuhën angleze përdoret kur unë ta tregojë një iniciativë dhe ti e sheh me dashamirësi. Ne nuk kemi thënë kemi dorëzuar aplikacionin dhe ai na dha certifikatën që u bëmë anëtar”, theksoi Bislimi.
Sipas Bislimit kanë qenë katër personalitete që e kanë zmadhuar këtë problem, por që nuk përmendi emra.