Bisedimet për formimin e një qeverie të re në Gjermani po përballen me vështirësi, ndërsa partitë që synojnë të krijojnë koalicionin e ardhshëm po hasin pengesa të mëdha në çështje të rëndësishme si migracioni, taksat dhe çështjet gjinore. Këto negociata po nxjerrin në pah hendekun mes asaj që partia qendrore e djathtë, CDU/CSU, u premtoi votuesve dhe politikave të majta që do të duhej të zbatojnë për të arritur një marrëveshje me partnerët e mundshëm të koalicionit, socialdemokratët (SPD).
Raundi i parë i bisedimeve zyrtare për koalicionin përfundoi më 24 mars, dhe sipas raporteve mediatike, ka ende shumë mospërputhje në çështje kyçe. Një nga çështjet më të diskutueshme është migracioni. Gjatë fushatës zgjedhore, lideri i CDU-së, Friedrich Merz, premtoi të ndalonte emigrantët e paligjshëm në kufi, por më pas u tërhoq nga ky qëndrim për të lëshuar terren ndaj kërkesave të SPD-së, për të formuar një qeveri.
SPD-ja ka kërkuar një qasje më liberale, duke pranuar 500,000 emigrantë në vit dhe duke i dhënë të drejtën e votës të huajve që jetojnë në Gjermani. Ata gjithashtu kërkojnë që deportimet të jenë “opsioni i fundit”. Kjo është në kontrast të plotë me qëndrimin e CDU/CSU-së, që ka propozuar masa të ashpra për emigrantët dhe azilkërkuesit, përfshirë uljen e përfitimeve për ta.
Gjithashtu, ka pasur mosmarrëveshje të tjera mbi çështje si taksat dhe ligji i vetëpërcaktimit, një ligj që lejon individët të ndryshojnë ligjërisht emrin dhe gjininë e tyre me një aplikim të thjeshtë. CDU/CSU dëshiron ta shfuqizojë këtë ligj, ndërsa SPD-ja kërkon ta mbajë në fuqi.
Në mes të këtyre përplasjeve politike, popullariteti i AfD-së (Alternativa për Gjermaninë), një parti e ekstremit të djathtë, ka arritur nivelin më të lartë historik, duke reflektuar një frustrim të madh të votuesve me bisedimet dhe ndarjet politike brenda partive kryesore. Një sondazh i publikuar nga ZDF javën e kaluar tregoi se 73% e të anketuarve ndiheshin të mashtruar nga liderin e CDU-së, Friedrich Merz, përfshirë 44% të mbështetësve të partisë së tij. Kjo ka rritur shqetësimet për mundësinë e rritjes së mbështetjes për partinë AfD, e cila mund të përfitojë nga kaosi politik dhe nga zemërimi i votuesve ndaj klasës politike tradicionale.