UBT News

Bimët që nuk i frikësohen dimrit, gjelbërim edhe pranë radiatorëve

Kur temperaturat bien dhe shtëpia mbushet me nxehtësinë e thatë që vjen nga radiatorët, hapësira jonë e përditshme shndërrohet në një strehë të ngrohtë kundër të ftohtit.

Perdet ulen, qirinjtë ndizen, aroma e kafesë përhapet në ajër – por shpesh diçka mungon. Në atë qetësi të ngrohtë, ajri i thatë dhe mungesa e dritës fillojnë të ndihen, duke ndikuar në energjinë e shtëpisë.

Bimët e shtëpisë, këta “rojtarë” të vegjël të natyrës, janë të parat që e ndiejnë këtë ndryshim. Gjethet vyshken, toka thahet, ajri i ngrohtë bëhet sfidues për to.

Disa bimë jo vetëm që përballojnë këtë periudhë, por edhe lulëzojnë në të – duke sjellë jetë dhe harmoni në çdo cep të shtëpisë.

Ato duan ngrohtësinë e radiatorëve dhe pastrojnë ajrin, gjallërojnë atmosferën, sipas feng shui-t, nxisin energji pozitive, qetësi e mirëqenie. Nëse doni që shtëpia të mbetet e gjallë, e gjelbër e plot jetë gjatë dimrit, njihuni me pesë bimë që janë aleatët idealë të sezonit të ftohtë.

 Lulja e fierit – zonja klasike e gjelbërimit

Një ndër bimët më të vjetra në botë, është simbol i qëndrueshmërisë së natyrës. Me gjethe të buta e të harlisura, sjell në shtëpi ndjesinë e një pylli. Edhe pse pëlqen lagështinë, përshtatet me ngrohjen qendrore, mjafton t’i spërkatni gjethet herë pas here dhe ta mbani larg burimeve të drejtpërdrejta të nxehtësisë. Fierët sjellin freski, qetësi dhe ekuilibër energjik, prandaj janë idealë për dhomën e ndenjes apo korridorin.

Orkideja – mbretëresha elegante që dashuron ngrohtësinë

Delikate në pamje, por e fortë në natyrë. Orkideja lulëzon edhe kur shumica e bimëve ndalojnë së rrituri. Kërkon temperaturë të qëndrueshme dhe dritë të moderuar, por jo diell të drejtpërdrejtë. Me kujdes minimal e pak spërkatje, sjell elegancë dhe qetësi në çdo ambient. Në ditët gri të dimrit, lulet e saj janë kujtesë se bukuria kurrë nuk shuhet – thjesht merr forma të reja.

Aloe Vera – minimalizëm dhe fuqi në një vazo të vetme

E njohur si “bima që shëron”, Aloe Vera ruan ujë e energji në gjethet e trasha, duke e bërë të përsosur për ajrin e that. Ajo kërkon pak ujë e shumë dritë. Në feng shui simbolizon pastrim, mbrojtje dhe forcë të brendshme. Vendoseni pranë kompjuterit ose në dhomën e gjumit për të balancuar energjinë dhe për të lehtësuar stresin.

Pahira – pema e fatit dhe begatisë

E quajtur ndryshe “druri i parave”, Pachira aquatica është simbol i harmonisë familjare dhe stabilitetit financiar. Edhe pse tropikale, është e lehtë për t’u mbajtur: i pëlqen drita e shpërndarë dhe lagështia e moderuar. Vendoseni në një qoshe të ndriçuar të dhomës së ndenjes dhe do të ndjeni se sjell energji të mirë dhe lehtësi në hapësirë.

Monstera – hijeshi tropikale që e do ngrohtësinë

Një ndër bimët më trend të viteve të fundit, Monstera është simbol i rritjes dhe vitalitetit. Ajo duron ajrin e thatë, mjafton t’i fshihen gjethet dhe të spërkatet herë pas here. Në feng shui përfaqëson vetëbesim dhe zhvillim. Edhe kur jashtë bie borë, gjethet e saj të mëdha mbeten kujtesë se ngrohtësia e vërtetë buron nga brenda nesh.

 Si t’i ndihmoni bimët gjatë sezonit të ngrohjes?

Kujdesuni për to duke:

Fshirë gjethet me një leckë të butë e pak të lagur.

Spërkatur me ujë të qëndruar në temperaturë dhome.

Shmangur vendosjen e saksive mbi radiatorë.

Vendosur një enë me ujë pranë radiatorit për të shtuar lagështinë.

Duke i dhënë kujdes bimëve, ushqeni edhe energjinë e shtëpisë suaj. Ato nuk janë vetëm dekor – janë terapeutë të heshtur, që sjellin qetësi, frymëmarrje dhe jetë në çdo stinë.

Në një dimër pa gjelbërim jashtë,  mbeten kujtesa më e bukur se jeta e rritja vazhdojnë edhe brenda katër mureve. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version