UBT News

Billie Eilish u bën apel miliarderëve për më shumë bamirësi në prani të Mark Zuckerberg

Billie Eilish mendon se miliarderët duhet të bëjnë më shumë për botën. Fituesja e disa çmimeve Grammy mori Çmimin e Inovatores Muzikore në “WSJ. Magazine Innovator Awards” të mërkurën, më 29 tetor, dhe gjatë fjalimit të saj të pranimit, e përdori momentin për të ndarë një mesazh me peshë shoqërore.

“Jemi në një periudhë kur bota po kalon kohë të vështira e të errëta, e njerëzit kanë nevojë për më shumë empati dhe ndihmë se kurrë më parë, veçanërisht në vendin tonë,” u shpreh Eilish para të ftuarve.

“Nëse ke para, do të ishte bukur t’i përdorje për diçka të mirë — ndoshta për t’i ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.”

Ajo nuk nguroi t’u drejtohej drejtpërdrejt disa personave në sallë: “Ju dua të gjithëve, por disa prej jush këtu keni shumë më tepër para se unë. Nëse je miliarder… pse je ende miliarder? Pa urrejtje, por, po — jepni paratë tuaja.”

Fjalët e saj u pritën me disa të qeshura dhe duartrokitje të përmbajtura nga audienca në Muzeun e Artit Modern, ku ishin të pranishëm Mark Zuckerberg me Priscilla Chan, si edhe emra të njohur si Hailey Bieber, Spike Lee, George Lucas, Ben Stiller, Chris Rock, Tory Burch, Questlove, Karlie Kloss dhe të tjerë.

Sipas një dëshmitari për revistën PEOPLE, Zuckerberg mbeti i përmbajtur dhe nuk duartrokiti pas komenteve të Eilish. Aktualisht, themeluesi i Facebook-ut renditet si personi i tretë më i pasur në botë, me një pasuri neto prej rreth 257 miliardë dollarësh, sipas Forbes.

Zuckerberg dhe Chan ishin të pranishëm në ceremoni pasi kjo e fundit u nderua me “Inovatore e Filantropisë në Shkencë 2025”.

Priscilla Chan, e cila është mjeke pediatre, u vlerësua për kontributin e saj përmes nismës Chan Zuckerberg Initiative, që synon zhvillimin e mjeteve të reja për identifikimin dhe trajtimin e sëmundjeve. Në profilin e botuar nga WSJ. për Chan, theksohet se ajo dhe Zuckerberg kanë premtuar të dhurojnë 99% të aksioneve të tyre në Meta për qëllime bamirësie gjatë jetës së tyre. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version