Në një seri postimesh në Twitter, Bill Gates thotë se ka ndërmend të anulojë pjesën më të madhe të planeve për pushimet e fundvitit dhe paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara “mund të jenë duke hyrë në pjesën më të keqe të pandemisë”.
Gates mendon se varianti Omicron i koronavirusit po përhapet më shpejt se çdo virus tjetër në histori. Miliarderi dhe bashkëthemeluesi i Microsoft gjithashtu tha se ka ende shumë të panjohura për këtë variant dhe pasojat e tij te njerëzit.
“Duhet ta marrim seriozisht, derisa të dimë më shumë për të. Edhe nëse është i rrezikshëm sa gjysma e variantit Delta, do të sjellë valën më të keqe që kemi parë deri tani, për shkak se është shumë infektues”, tha Gates.
Sipas tij, kjo valë do të zgjasë tre muaj, të paktën në Shtetet e Bashkuara.
“Këto muaj mund të jenë të rëndë, por besoj ende që nëse ndërmarrim hapat e duhur, pandemia mund të përfundojë në vitin 2022”, tha Gates.
Sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, në SHBA janë regjistruar që nga nisja e pandemisë 51,5 milionë raste, ndërsa 812 mijë e 69 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi. Në të gjithë botën, numri i rasteve të konfirmuara me virus është mbi 277 milionë, ndërsa 5 milionë e 377 mijë e 551 persona kanë humbur jetën nga COVID-19.