UBT News

Bie shkalla e vdekjes nga kanceri i gjirit në ShBA, por ende ka pabarazi racore

Shkalla e vdekjes nga kanceri i gjirit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rënë ndjeshëm, por gratë me ngjyrë kanë gjasa më të mëdha të vdesin nga kanceri i gjirit pavarësisht se kanë një incidencë më të ulët të saj, sipas një raporti të ri të Shoqatës Amerikane të Kancerit.

Studimi i botuar javën e kaluar nga CA:A Cancer Journal for Clinicians, zbulon se në total shkalla e vdekjes ra 43% brenda tri dekadave, nga viti 1989 deri në vitin 2020, duke e përkthyer në 460 mijë vdekje më pak nga kanceri i gjirit gjatë asaj periudhe.

Kur u analizuan të dhënat sipas racës, rezultoi se gratë me ngjyrë kanë një shkallë më të ulët të incidencës së kancerit të gjirit kundrejt grave të bardha, por shkalla e vdekjes është 40% më e lartë te gratë me ngjyrë në përgjithësi.

“Shkalla e vdekjes po bie te gratë me ngjyrë ashtu si në pothuajse çdo grup tjetër, por ne ende po shohim të njëjtin hendek”, tha Rebecca Siegel, drejtoreshë e lartë shkencore e kërkimit mbikqyrës në Shoqatën Amerikane të Kancerit dhe autore e vjetër e raportit.

“Dëshmitë janë konsistente që gratë me ngjyrë trajtohen ndryshe në sistemin e kujdesit shëndetësor, duke filluar nga mamografia me cilësi më të ulët, vonesat midis kohës së diagnozës dhe fillimit të trajtimit e deri te trajtimi me cilësi të dobët pas diagnostikimit”, tha Siegel, teksa shtoi se duhet të analizohet me kujdes se si po trajtohen gratë me ngjyrë.

Por për Dr.Samuel Cykert, profesor i mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Karolinës së Veriut në Chapel Hill, pabarazitë e vazhdueshme racore që u theksuan edhe në raportin e ri të Shoqatës Amerikane të Kancerit nuk ishin befasi.

“Fakti që ka ende një hendek nuk më befason sepse njerëzit nuk janë të përkushtuar për të ndryshuar diçka”, tha Cykert, i cili nuk ishte i përfshirë në raport.

Eliminimi i pabarazive racore mes pacientëve me kancer sipas Cykert duhet të ndodhë duke iu ofruar qasje të njëjtë grave me ngjyrë në spitale, depistime për kancerin e gjirit dhe trajtim adekuat si për gratë e bardha./UBTNews/

Exit mobile version