Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të enjten se udhëheqësi i ISIS-it vdiq duke hedhur në erë veten dhe familjarët e vet gjatë operacionit të forcave amerikane në Siri.
Abu Ibrahim al-Hashemi al-Quraishi ishte udhëheqës i ISIS-it që nga vdekja e paraardhësit të tij më 2019, Abu Bakr al-Baghdadi, i cili gjithashtu ishte vrarë duke e hedhur veten në erë gjatë një operacioni të forcave amerikane.
Sipas presidentit dhe zyrtarëve amerikanë, kur forcat amerikane iu afruan Quraishi-t në veriperëndim të Sirisë gjatë natës, ai shkaktoi një shpërthim që gjithashtu i la të vrarë familjarët e tij, përfshirë disa fëmijë, shkruan Reuters.
Zyrtarët amerikanë thanë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm, saqë i hodhi trupat e njerëzve jashtë ndërtesës me tri kate, duke e fajësuar ISIS-in për të gjitha pasojat në civilë.
“Duke iu falënderuar trimërisë së trupave tona, ky udhëheqës i tmerrshëm terrorist nuk është më”, tha presidenti amerikan në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se besohet që shpërthimi la të vrarë udhëheqësin e ISIS-it, dy gratë e tij dhe një fëmijë në katin e tretë dhe, me gjasë, edhe një fëmijë që ishte në katin e dytë dhe një komandant e gruan e tij, të cilët u vranë pas të shtënave në drejtim të forcave amerikane.
Zyrtari tha se dy luftëtarë të tjerë u vranë, pasi qëlluan me armë në drejtim të helikopterëve amerikanë.