UBT News

Biden: Të pavaksinuarit po rrezikojnë komunitetet

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi të martën se miliona amerikanë janë ende të pavaksinuar dhe të pambrojtur dhe për pasojë komunitetet e tyre janë në rrezik.

Në thirrjen e tij më të fundit televizive për njerëzit që të vaksinohen kundër COVID-19, presidenti tha se varianti delta i virusit, i cili është më i transmetueshëm dhe më i rrezikshëm, është përgjegjës për gjysmën e rasteve në shumë pjesë të vendit.

Dhjetë shtete amerikane po përjetojnë një rritje të rasteve të koronavirusit. Në veçanti, shtetet Kansas dhe Misuri po raportojnë rritje dyshifrore të përqindjes së infeksioneve për shkak të variantit delta.

Presidenti Joe Biden njoftoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara parashikohet të arrijnë në 160 milionë amerikanë plotësisht të vaksinuar deri në fund të kësaj jave.

Për t’iu përgjigjur përhapjeve të mëtejshme të parashikuara mes të pavaksinuarve, presidenti Biden tha se qeveria federale po mobilizon ekipet e përgjigjes ndaj valëve të COVID-19, të plotësuar me ekspertë nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe agjenci të tjera, shkruan A2.

“Këto ekipe do të ndihmojnë shtetet me probleme të veçanta për parandalimin, zbulimin dhe përgjigjen ndaj përhapjes së variantit delta mes njerëzve të pavaksinuar në komunitete me norma të ulëta vaksinimi”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.

Administrata e Presidentit Biden njoftoi të martën dërgimin e dozave të vaksinës Moderna në Guatemalë dhe Vietnam, pasi nuk arriti objektivin e saj për të dhuruar 80 milionë doza në pjesën tjetër të botës deri në fund të qershorit.

Exit mobile version