Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka takuar kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me të cilën ka diskutuar edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Biden dhe Meloni kanë diskutuar për sigurimin e stabilitetit në këtë rajon ku pjesë janë Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Takimi është zhvilluar të enjten në Shtëpinë e Bardhë dhe sipas deklaratës së përbashkët të dy liderëve “ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar de-përshkallëzimin dhe pajtimin, dhe pranuan rolin vendimtar të Quintit”.
“Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit. Ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar de-përshkallëzimin dhe pajtimin, dhe pranuan rolin vendimtar të Quintit. Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it Althea”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.