Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili e ka uruar në emër të popullit amerikan për zgjedhjen në krye të shtetit.
Biden ka theksuar se do të punojë me Osmanin në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.
Ai i është përgjigjur edhe kërkesës së Osmanit që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit.
Presidenti i SHBA-ve ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.