Teksa bombardimet ruse mbi Ukrainë vijojnë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden deklaron se homologu i tij rus i ka bërë gabim llogaritë mbi Ukrainën. Në një intervistë për CNN, presidenti amerikan e ka cilësuar Putin si një aktor racional.
“Unë mendoj se ai është një aktor racional që ka llogaritur gabimisht. Ju dëgjoni atë që ai thotë. Nëse e dëgjoni fjalimin që ai bëri kur u mor vendimi, ai foli për të gjithë idenë, ai duhej të ishte lideri i Rusisë që bashkonte të gjithë rusishtfolësit. Dua të them, thjesht mendoj se është irracionale”, tha Biden.
Biden, paralajmëroi javën e kaluar se rreziku i “armagedonit bërthamor” ishte në nivelin më të lartë në 60 vjet, dhe se kërcënimet që vijnë nga Rusia mund të rezultojnë në “gabime” dhe “llogaritje të gabuara” katastrofike.
Biden deklaroi se do të kishte “pasoja” edhe për Arabinë Saudite pasi ajo u bashkua me Moskën për të njoftuar një ulje të prodhimit të naftës, një veprim që mund të shkaktojë rritjen e çmimeve të gazit me afrimin e zgjedhjeve afatmesme të nëntorit.
Duke shkuar më tej, Biden tha se Putin gabimisht besonte se ukrainasit do t’i nënshtroheshin pushtimit rus, një gjykim i gabuar që është hedhur poshtë nga rezistenca e ashpër brenda vendit.
“Mendoj se fjalimi, objektivat e tij nuk ishin racionalë. Unë mendoj se ai mendoi, mendoi se do ta mirëprisnin krahëhapur, se kjo ishte shtëpia e Nënës Rusi në Kiev dhe se ku do të pritej, dhe mendoj se ai thjesht e llogariti gabimisht”, tha Biden.
I pyetur nëse do të takohej me Putinin në samitin e Grupit 20 të muajit të ardhshëm në Indonezi, Biden tha se nuk shihte arsye për t’u takuar.
“Do të varej konkretisht nga ajo për të cilën ai donte të fliste. Por shikoni, ai ka vepruar brutalisht, ai ka vepruar brutalisht. Unë mendoj se ai ka kryer krime lufte. Dhe kështu që nuk e bëj, nuk shoh ndonjë arsye për t’u takuar me të tani”, tha Biden.