Një pushtim rus i Ukrainës “mbetet dukshëm i mundshëm”, tha Joe Biden në një fjalim televiziv, pasi Kremlini njoftoi se trupat ruse do të fillonin të tërhiqen nga kufiri, përcjell UBT News.
Presidenti amerikan tha se nuk kishte ende konfirmim se trupat ruse po ktheheshin në bazat e tyre dhe se trupat mbeten ende në një pozicion kërcënues.
Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin këmbënguli të martën se ai nuk dëshiron një luftë me Ukrainën, pas javësh tensioni të nxitur nga grumbullimi i trupave.
“A duam (një luftë) apo jo? Sigurisht që jo. Kjo është arsyeja pse ne parashtruam propozimet tona për një proces negocimi” tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me kancelaren gjermane.
Zyrtarët perëndimorë e mirëpritën masën për të tërhequr trupat nga kufiri, por shprehën skepticizëm.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se nuk kishte ende asnjë shenjë të një pranie të reduktuar ushtarake ruse në kufirin ukrainas ose “ndonjë shenjë të de-përshkallëzimit në terren”.
Në fjalimin e tij televiziv drejtuar amerikanëve, Biden tha se nëse Rusia pushton Ukrainën, kostot njerëzore do të ishin të mëdha. Ai gjithashtu theksoi se SHBA-të nuk synojnë të destabilizojnë Rusinë.
Rusia sinjalizoi gjithashtu një dëshirë për të vazhduar bisedimet me Perëndimin, me ministrin e jashtëm Sergei Lavrov që kërkoi zgjerimin e bisedimeve të hënën.
SHBA dhe aleatët kanë kërcënuar me pasoja të rënda dhe sanksione të ashpra në rast të një pushtimi rus të Ukrainës.
Biden pranoi të hënën se këto masa ka të ngjarë të kenë pasoja edhe në ekonomitë në Perëndim.
“Për të qenë i qartë, nëse Rusia vendos të pushtojë, kjo do të kishte gjithashtu pasoja këtu në shtëpi. Por populli amerikan e kupton se mbrojtja e demokracisë dhe lirisë nuk është kurrë pa kosto” tha Biden, duke shtuar se kjo mund të ketë ndikim në çmimet e energjisë.
Ky është veçanërisht një shqetësim në Evropë, e cila mbështetet në gazin rus dhe është e ndikuar shumë nga kriza energjetike.
“Unë nuk do të pretendoj se kjo do të jetë pa dhimbje” tha Biden./UBTNews/