Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka rënë dakord “në parim” për një takim me presidentin rus Vladimir Putin, përcjell UBT News.
Shtëpia e Bardhë tha se takimi, i ndërmjetësuar nga presidenti Emmanuel Macron, do të vazhdojë vetëm për aq kohë sa Rusia nuk do të fillojë ndonjë sulm në Ukrainë.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se administrata ka qenë e qartë se “ne jemi të përkushtuar të ndjekim diplomacinë deri në momentin që fillon një pushtim”.
“Dhe aktualisht, Rusia duket se po vazhdon përgatitjet për një sulm të plotë në Ukrainë shumë shpejt”, shtoi ajo.
Njoftimi nga SHBA erdhi pasi Macron zhvilloi bisedime të dielën me Biden dhe Putin mbi situatën në Ukrainë.
Presidenti francezë dhe ai rus ranë dakord në thirrjen e tyre për të “intensifikuar” përpjekjet diplomatike për të zgjidhur krizën në Ukrainë.
Putin fajësoi ato që ai i quajti “provokimet” e Ukrainës për tensionet e rritura në Ukrainën lindore, tha Kremlini, dhe gjithashtu kërkoi që Perëndimi të marrë “seriozisht” kërkesat e Moskës për sigurinë.
Macron foli gjithashtu me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili tha në Twitter se po bënte thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm” në lindje dhe një rifillim të bisedimeve të sponsorizuara nga OSBE me Rusinë./UBTNews/