Presidenti amerikan, Joe Biden ia bëri të qartë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se pushtimi i Gazës do të ishte “gabim i madh” dhe se zgjidhja me dy shtete do të ishte rruga e vetmja rrugë për t’i dhënë fund konfliktit Izrael-Palestinë.
“Ua bëra të qartë izraelitëve se mendoj që është gabim për ta të mendojnë se do ta pushtojnë Gazën. Nuk mendoj se funksionon ajo”, tha Biden në një konferencë për media në San Francisko.
Netanyahu tha në fillim të këtij muaji se pas luftës Gaza do të duhej të “çmilitarizohej, deradikalizohej dhe rindërtohej” dhe se Izraelit do t’i duhej të gjejë një “qeveri civile” për të qeverisur Gazën, e cila drejtohet nga Hamasi që nga viti 2006.
Udhëheqësi izraelit tha se nuk e ka asnjë plan për të “pushtuar” Gazën, megjithëse konsiderohet territor i pushtuar tashmë, sepse Izraeli ka kontroll të plotë të kufijve, hapësirës ajrore dhe ujërave territoriale, pavarësisht se ka tërhequr zyrtarisht forcat dhe kolonët e tij në vitin 2005.
Lidhur me bastisjet në spitalin al-Shifa të Gazës, Biden tha se ka diskutuar me liderët izraelitë rreth nevojës për të qenë “tepër të kujdesshme” gjatë veprimeve në spital, nën të cilin Izraeli thotë se grupi i armatosur palestinez Hamas ka ndërtuar shtabin e saj ushtarak. Zyrtarët e spitalit dhe Hamasi i mohojnë këto pretendime.
Mbi 11 mijë e 300 palestinezë janë vrarë qëkur Izraeli nisi bombardimin e Gazës më 7 tetor, pasi Hamasi filloi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit. Deri më tani kanë vdekur rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe mbi 200 janë marrë peng./UBTNews/