Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do t’i vizitojë Normandinë dhe Parisin nga 5 deri më 9 qershor, për të marrë pjesë në 80-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten.
Biden do të mbajë fjalim përkujtimor më 6 qershor, dhe pastaj do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris më 8 qershor, si pjesë e një vizite shtetërore, tha Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.
Zyra e Macronit, ndërkohë, tha se dy presidentët do të bisedojnë “për nevojën për mbështetje të palëkundur dhe afatgjate për Ukrainën”, në një kohë kur lufta është rikthyer në Evropë, 80 vjet pasi zbarkimet e trupave çuan në çlirimin e Francës dhe kontinentit prej pushtimit nga Gjermania naziste.
Javën e ardhshme në Normandi do të mblidhen liderët e 25 shteteve dhe qeverive, së bashku me dhjetëra veteranë të Luftës së Dytë Botërore, për t’i nderuar gati 160.000 trupa nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e tjera, të cilët zbarkuan më 6 qershor 1944.
Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të marrë pjesë.
Vizita shtetërore e Bidenit do të mundësojë “bashkëpunim të ngushtë” mes Francës dhe SHBA-së për krizat botërore, në prag të ngjarjeve ndërkombëtare, përfshirë të samitit të Grupit të Shtatë ekonomive të mëdha muajin e ardhshëm në Itali, si dhe të samitit të NATO-s në Uashington në korrik.
Ata do të bisedojnë edhe për çështjet që kanë të bëjnë me klimën, dhe do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, posaçërisht në fushat si, ekonomi, hapësirë dhe atë nukleare, thuhet në njoftim.