UBT News

Biden dhe Xi takohen para samitit të G20-ës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, u takuan të hënën në Bali të Indonezisë, në prag të samitit të vendeve më të industrializuara, G20.

Takimi vjen në kohën kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelin më të ulët në disa dekada, për shkak të disa çështjeve – nisur nga siguria në Tajvan deri te tregtia.

Ky njëherësh është takimi i parë i tyre prej se Biden ka marrë detyrën e presidentit më 2021. “Kemi kaluar shumë kohë së bashku kur të dy ishim nënkryetarë. Është, thjesht, e mrekullueshme që ju shoh”, i tha Biden Xisë.

“Si udhëheqës të vendeve tona, ne ndajmë përgjegjësinë – mendoj unë – për të treguar se Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund t’i menaxhojnë dallimet, mund të parandalojnë që konkurrenca të kthehet në konflikt dhe mund të gjejnë mënyra për të punuar së bashku në urgjencat globale, që kërkojnë bashkëpunimin tonë të ndërsjellë”, tha Biden.

Ai përmendi ndryshimet klimatike dhe pasigurinë ushqimore si probleme që bota pret të trajtohen nga vendet e tyre. Duke iu përgjigjur Bidenit, Xi tha se si udhëheqës të dy vendeve të mëdha, ata duhet të gjejnë drejtimin e duhur dhe t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre. Tema kryesore të bisedimeve të tyre pritet të jenë: Tajvani, Ukraina dhe ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut.

Këto tema pritet të përshkojnë edhe samitin e G20-ës, që nis punimet të martën. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i drejtohet audiencës në Panairin e Librit të Frankfurtit, përmes një video-lidhjeje. 20 tetor 2022. Samiti do të mbahet pa praninë e presidentit rus, Vladimir Putin. Atë do ta përfaqësojë ministri i tij i Jashtëm, Sergei Lavrov. Ky është samiti i parë i G20-ës prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë, në fund të shkurtit./REL

Exit mobile version