Në Gjenevë të Zvicrës ka filluar samiti ndërmjet presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.
Me të filluar takimi, Biden tha se është “gjithmonë është më mirë të takohemi ballë për ballë”, ndërsa Putin tha se shpreson që “takimi do të jetë produktiv”.
Bisedimet mbahen në një kohë kur raportet mes të dyja vendeve janë në pikën më të ulët që nga periudha e Luftës së Ftohtë.
Takimi i 16 qershorit mbahet vetëm disa muaj pasi presidenti amerikan tha se besonte se homologu i tij rus është një vrasës.
Putini vazhdon të fuqizojë dominimin e tij mbi sistemin politik të vendit, duke shtypur aktivistët e opozitës, siç është rasti i Aleksei Navalnyt, dhe duke kufizuar lirinë e mediave.
Biden është presidenti i katërt i SHBA-së që takohet me Putinin.
Një zëdhënëse e presidentit amerikan ka thënë se Shtëpia e Bardhë nuk synon “rivendosjen e raporteve me Rusinë, por as përshkallëzimin e tyre”.
Që nga betimi i tij në pozitën e presidentit në muajin janar, Biden ka vendosur dy raunde sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Mëgjithatë, SHBA-ja ka rënë dakord që të zgjasë traktatin e ri të kontrollit të armëve START. Biden gjithashtu ka refuzuar të bllokojë përfundimin e gazsjellësit rus “Rrjedha Veriore 2”, i cili do të rrisë eksportet e gazit rus në Gjermani.
Disa orë para se të fillonte takimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bisedimet “nuk do të jenë të lehta” dhe mbase nuk do të shënojnë ndonjë përparim.
Agjencia Reuters ka cituar një zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë se të dy liderët pritet të flasin për katër ose pesë orë.
Agjenda e bisedimeve përfshin çështje të tilla si kontrolli i armëve, krimi kibernetik dhe spiunazhi, ndryshimi i klimës dhe situata me pandeminë e COVID-19.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar për vite me radhë, veçanërisht pas aneksimin të Krimesë në Ukrainë nga Rusia në vitin 2014, pastaj ndërhyrjen e saj në Siri dhe akuzat e SHBA-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, që sollën Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Moska i mohon akuzat.
Raportet u përshkallëzuan më shumë në mars kur Biden tha se ai mendonte se Putini ishte një “vrasës”, duke e nxitur Rusinë të thërriste ambasadorin e saj në Uashington për konsultime. Shtetet e Bashkuara tërhoqën ambasadorin e tyre në prill. Ambasadorët nuk janë kthyer më.
Takimi i Bidenit me Putinin pason takimet me udhëheqësit e grupit të vendeve më të industrializuara G7 dhe me udhëheqësit e NATO-s, të cilat i ofruan mundësinë për t’i riafirmuar këto aleanca dhe për të paraqitur një front të bashkuar ndaj rivalëve globalë – përfshirë Rusinë.
Në fillim të udhëtimit të tij jashtë SHBA-së, Biden tha se me Putinin do të bisedojë për fushat ku mund të ketë bashkëpunim, si dhe për dallimet që i ndajnë dy vendet.
“Do të udhëtoj në Gjenevë për të biseduar me një burrë, të cilin e kam takuar kohë më parë – presidentin Vladimir Putin. Ne nuk po kërkojmë konflikt me Rusinë; ne duam marrëdhënie të qëndrueshme të parashikueshme. Dy vendet tona ndajnë përgjegjësi të jashtëzakonshme”, tha Biden më 9 qershor./REL