Presidenti amerikan Joe Biden ka dënuar valën e sulmeve raketore ruse që vranë të paktën 41 njerëz në Ukrainë si një “kujtues i tmerrshëm i brutalitetit të Rusisë”, pasi ai u zotua të forcojë mbrojtjen ajrore të Kievit.
Të paktën 166 persona u plagosën në të gjithë vendin, duke përfshirë disa në një spital për fëmijë në kryeqytetin Kiev të hënën.
Kjo vjen ndërsa Biden përgatitet të presë një samit të NATO-s në Uashington të martën.
Presidenti i SHBA tha se në takim do të njoftohen përforcime të mëtejshme për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Udhëheqësit nga 32 shtetet anëtare të NATO-s, vendet e tyre partnere dhe BE-ja po mblidhen për të shënuar 75-vjetorin e bllokut.
Biden tha se ai do të mirëpresë presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe liderë të tjerë të NATO – s.
Samiti do të fokusohet në mbrojtjen dhe parandalimin në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës.
“Ne do të shpallim masa të reja për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës për të ndihmuar në mbrojtjen e qyteteve dhe civilëve të tyre nga sulmet ruse”, tha Biden.
“Unë do të takohem me Presidentin Zelenskyy për të bërë të qartë se mbështetja jonë për Ukrainën është e palëkundur.”
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të takohet gjithashtu të martën me kërkesë të Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres iu bashkua zyrtarëve perëndimorë në dënimin e sulmit raketor të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kryetari i komunës së Kievit, Vitali Klitschko, shpalli 9 korrikun si ditë zie pas sulmeve vdekjeprurëse në kryeqytet.
Dy persona vdiqën kur një raketë rrafshoi një pjesë të Spitalit të Fëmijëve Ohmatdyt – objekti më i madh i pediatrisë në Ukrainë – dhe kërkimi për të mbijetuar nën rrënoja vazhdoi deri në orët e para të së martës.
Presidenti Zelensky u ka kërkuar aleatëve perëndimorë që të rrisin furnizimet e mbrojtjes ajrore për muaj të tërë, mes sulmeve të shtuara ruse. Zyrtarët e OKB-së thanë se maji ishte muaji më vdekjeprurës për viktimat civile në pothuajse një vit.
Qeveria në Kiev thotë se ka dëshpërimisht nevojë për sisteme të reja të mbrojtjes ajrore Patriot të prodhuara nga SHBA. Por zyrtarët perëndimorë kanë hezituar të dorëzojnë më shumë nga numri i kufizuar i baterive tokë-ajër të shpërndara në të gjithë aleancën e NATO-s./BBC/