Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në një fjalim për kombin të mërkurën në mbrëmje, e kualifikoi vendimin e tij për t’u larguar nga gara presidenciale 2024 si një çështje për të shpëtuar demokracinë dhe për t’ia kaluar “pishtarin një brezi të ri”.
Bideni në fjalimin e tij e pranoi se bashkimi i partisë kërkonte sakrifikimin e ambicies personale për atë që ai e sheh si një të mirë më të madhe.
“Kam respekt për këtë zyrë. Por unë e dua vendin tim më shumë ..Ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Por në mbrojtje të demokracisë, e cila është në rrezik, dhe e cila është më e rëndësishme se çdo titull. Marr forcë dhe gjej gëzim duke punuar për popullin amerikan”, ka shtuar ai.
Edhe pse ai nuk e përmendi Donald Trumpin me emër, u përpoq të vinte një kontrast të qartë me ish-presidentin, ambicia e të cilit e bëri atë të pretendonte fitoren në zgjedhjet që nuk i fitoi katër vjet më parë.
“Gjëja më e mirë e Amerikës është se këtu mbretërit dhe diktatorët nuk sundojnë. Populli e bën. Historia është në duart tuaja, ideja e Amerikës është në duart tuaja”, është shprehur Biden, raporton CNN.
Presideni amerikan shtoi se ka vendosur mënyra më e mirë që t’ia kalojë pishtarin një brezi të ri, pasi është mënyra më e mirë për të bashkuar kombin tonë
“Ju e dini, në javët e fundit është bërë e qartë për mua se duhet të bashkoj partinë time në këtë përpjekje kritike. Besoj se rekordi im si president, lidershipi im në botë, vizioni im për të ardhmen e Amerikës meritojnë të gjitha një mandat të dytë. Por asgjë, asgjë nuk mund të pengojë shpëtimin e demokracisë sonë. Kjo përfshin ambicien personale. Pra, kam vendosur se mënyra më e mirë përpara është t’ia kaloj pishtarin një brezi të ri. Është mënyra më e mirë për të bashkuar kombin tonë”, është shprehur ai.