Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Bosnjë dhe Hercegovinës (BHANSA) është përballur me një bllokadë të mundshme të fondeve të nevojshme për operacionet e trafikut ajror. EUROCONTROL ka njoftuar BHANSA-n se është urdhëruar ngrirja e të gjitha pagesave për agjencinë, pas një vendimi arbitrazhi të marrë kundër Bosnjë-Hercegovinës.
Ky vendim është rezultat i një mosmarrëveshjeje mes Qeverisë së Republikës Srpska dhe kompanisë sllovene “Viadukt”, lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Vrbas. Kompania sllovene kërkon 53 milionë euro si kompensim, pasi kontrata që lidhte Qeverinë e RS me kompaninë u ndërpre. Qeveria e RS refuzon të paguajë këtë shumë, duke e çuar çështjen në arbitrazh.
Pavarësisht se BHANSA nuk ka qenë palë në këtë çështje, vendimi arbitrazhit ka ndikuar në financat e agjencisë. Eksperti i aviacionit civil, Alen Šćuric, tha se fondet për BHANSA mund të bllokohen brenda dhjetë ditësh nëse problemi nuk zgjidhet deri atëherë. Kjo ka pasoja të rënda për operacionet e trafikut ajror, duke përfshirë kontrollin e fluturimeve dhe sigurinë ajrore.
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror është përgjegjëse për menaxhimin e më shumë se 531,000 fluturimeve në vit që kalojnë mbi territorin e Bosnjë-Hercegovinës, dhe për operacionet në aeroportet e vendit. Nëse problemi nuk zgjidhet, aeroportet mund të përballen me mungesë të pasagjerëve dhe fluturimeve, duke pasur ndikim të thellë ekonomik dhe operacional në të gjithë vendin.
BHANSA ka deklaruar se po punon intensivisht me institucionet përkatëse për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve ajrore, por ngërçi ligjor dhe financiar ka krijuar një krizë të mundshme për trafikun ajror në Bosnjë dhe Hercegovinë.