UBT News

Beyoncé arrin rekord historik me 100 nominime në Grammy Awards

Beyoncé ka shkruar sërish historinë në Grammy Awards, duke u bërë artistja e parë që arrin gjithsej 100 nominime në historinë e këtyre çmimeve.

Këtë rekord këngëtarja e arriti pasi kënga e saj “Morning Dew (Donk)” u nominua në kategorinë Performanca më e mirë solo R&B (Best R&B Solo Performance), raporton Variety.

Beyoncé publikoi këngën më 4 korrik, në prag të 20-vjetorit të albumit të saj të dytë, “B’Day”. Kënga kishte mbetur e papublikuar për një kohë të gjatë dhe ishte shkruar nga Beyoncé, Pharrell Williams, The-Dream dhe Darius Dixon. Në prodhimin e saj u angazhuan Beyoncé dhe Williams.

“Morning Dew (Donk)” do të garojë në këtë kategori përballë këngëve “Out the Window” nga Kehlani, “Let Me” nga Victoria Monét, “Pressha” nga Jill Scott dhe “What You Need” nga Tems.

Kjo nuk është hera e parë që Beyoncé vendos rekorde në Grammy Awards. Në vitin 2023, ajo u bë artistja me më së shumti çmime të fituara në historinë e ceremonisë, duke arritur në 32 trofe. Rekordin e mëparshëm e mbante dirigjenti dhe muzikanti i muzikës klasike Georg Solti, me 31 çmime.

Një tjetër arritje erdhi në vitin 2024, kur Beyoncé u bë artistja me më së shumti nominime në historinë e Grammy Awards, duke kaluar bashkëshortin e saj, Jay-Z, me të cilin deri atëherë ndante rekordin prej 88 nominimesh.

Në vitin 2025, ajo fitoi edhe tre çmime të tjera Grammy, duke e çuar në 35 numrin e përgjithshëm të trofeve të fituara gjatë karrierës së saj. Kështu, Beyoncé vazhdon të mbajë rekordin si artistja më e shpërblyer në historinë e Grammy Awards./A.K/

Exit mobile version