UBT News

​Bettel: Të jesh anëtar i BE-së nuk është sprint, është maratonë, është rrugë e gjatë

Qeveria e Kosovës ka bërë shumë punë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por duhet ta pranojmë që anëtarësimi në BE nuk është sprint, por maratonë, ka thënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Luksemburgut, Xavier Bettel, pas takimit që zhvilloi me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Bettel i cili po qëndron për vizitë në Kosovë për projektin 35 milionësh që do ta ndihmojnë Kosovës në sektorin e IT-së.

Ai po ashtu tha se nën lidershipin e Donika Gërvallës Kosova ka bërë progres për t’iu afruar BE-së.

“Qeveria e Kosovës po bënë shumë punë dhe e dini dhe duhet ta pranoj që të jesh anëtar i BE-së nuk është sprint, është maratonë, është rrugë e gjatë për ta kaluar dhe mund t’iu them se nën lidershipin e Donikës ky vend ka bërë shumë progres në drejtim për t’iu afruar BE-së”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel tha se duhet angazhim për t’iu shmangur konflikteve.

Ndërsa, shtoi se Kosova duhet të punoj të marr vendin dhe respektin e merituar.

“Ky rajon ka vuajtur mjaftë për vendimet që janë marrë nga të tjerët, dhe ju e dini se do të kemi përgjegjësinë të komunitetit në Këshill të Evropës dhe të kemi këtë platformën se ju së bashku do të punoni t’i jepni Kosovës vendin që meriton dhe respektin që meriton dhe gjithashtu mundësinë për të qenë një storie suksesi siç e meriton…Është e rëndësishme që tu japim të rinjve gjithashtu mundësinë të shohin se ky është vend për të qëndruar, për tu rritur dhe për tu gjeneruar dhe kjo do të jetë shpresoj edhe për projektet që do t’i mbështesim…Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të shmangim konfliktin siç e dini unë jam sot këtu dhe u flas të gjitha vendeve dhe nëse mund të bëhemi të dobishëm do të bëjmë gjithçka për të shmangur situatë të keqe sepse ne jemi politikanë dhe njerëzit e parë që vuajnë në terren janë civilët dhe është detyra jonë ta bëjmë këtë dhe ne besojmë dhe kam pas këtë diskutim dhe kjo është arsyeja që vendi juaj dhe rajoni duhet ta ketë një perspektiv evropiane, por jo në 200 vjet por së bashku të shohim se si mund të shkojmë tutje”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla vizitën e zëvendëskryeministrit të Luksemburgut në Kosovë e konsideroi si dëshmi të qartë të miqësisë së thellë mes të dyja vendeve.

Kryediplomatja, Gërvalla tha se Luksemburgu është partner kyç për rrugën e Kosovës drejtë BE-së dhe NATO-s.

Sipas saj memorandumi i bashkëpunimit që do të nënshkruhet në mes Kosovës dhe Luksemburgut synon të nxis investimet dhe do të forcoj projektet në sektorin privat.

“Vizita e tij është një dëshmi e qartë e miqësisë së thellë mes dy vendeve tona dhe përkushtimit tonë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet tona të ngushta. Edhe më të shënuar e bënë këtë ditë përurimi i ambasadës së re të Luksemburgut në Prishtinë, e cila është simbol i fortë i lidhjeve tona, një gjest me peshë të veçantë në kohë të tilla sfiduese për rajonin dhe Evropën…Në këtë proces Luksemburgu është dhe ka qenë partner kyç me përvojë të gjerë në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ekonomik, në rrugën tonë drejtë anëtarësimit në BE dhe NATO i konsiderojmë vendet tjera anëtare përfshirë edhe të voglat dhe të mëdha si partner strategjik të posaçëm. Këto partneritete janë kyçe për stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Zëvendëskryeministrja, Gërvalla tha se javën e kaluar në Këshillin e OKB-së ka theksuar rrezikun e madh për destabilizim nga Serbia dhe Rusia.

Sipas saj duhet angazhim i shtuar për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kam theksuar rrezikun e madh që vjen nga një fqinj gjithnjë më agresiv i yni dhe nga një Rusi gjithnjë e më agresive që të dy synojnë destabilizimin e Ballkanit. Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme ka publikuar një paralajmërim se nëse NATO, BE dhe SHBA nuk ndërmarrim hapa më të vendosur për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve ekziston rreziku që një konflikt të rikthehet në Ballkan. Ky është një angazhim serioz për të gjithë ne që na detyron të angazhohemi edhe më shumë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë”, theksoi ajo.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Luksemburgut, Xavier Bettel, gjatë vizitës së tij në Kosovë do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve kosovare. Bettel pas takimin me kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla, u takua edhe me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislmi dhe më pas edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Exit mobile version