Përparim Rama ka bërë sot betimin si kryetar i Komunës së Prishtinës, duke nisur zyrtarisht edhe një mandat të ri qeverisës.
Ceremonia e betimit është zhvilluar para anëtarëve të Kuvendit Komunal, ashtu siç parasheh neni 57 i Ligjit për Qeverisjen Lokale.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se është i përkushtuar t’i shërbejë kryeqytetit me përgjegjësi dhe paanshmëri, duke garantuar se do të punojë për një Prishtinë më të qetë dhe me kushte më të mira për të gjithë qytetarët.
“Na priftë e mbara së bashku. Unë, Përparim Rama, betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë,” u shpreh ai gjatë betimit.
Me këtë ceremoni, Rama konfirmon vazhdimin e mandatit të tij në krye të Komunës së Prishtinës.
