UBT News

Betohen 180 ushtarët e rinj, Osmani: FSK po forcohet çdo ditë e më shumë

180 rekrutë të rinj i janë shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët janë betuar në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Skënderbeu” në Ferizaj.

Presidentja Vjosa Osmani tha se FSK po forcohet çdo ditë edhe më shumë. Komandantja supreme ka garantuar se ushtarët e Kosovës do të jenë kudo që rrezikohen interesat e shtetit, të aleatëve amerikanë e evropianë.

Tutje ajo tha se këta ushtarë duhet ta bartin me krenari këtë uniformë, pasi sipas saj, është derdhur gjak për të.

“Sot është ditë e veçantë për shtetin tonë sepse prej sot FSK po forcohet me djem e vajza. Prej sot shteti ynë është më i fortë, janë ushtarë të shtetit tonë për shtetin tonë të pacenueshëm. Si komandante jam krenare që po e shoh ushtrinë tonë, e cila është në krah me ushtritë aleate. Historia jonë është përplot gra e vajza, te cilat e bartin uniformën e të cilat duhet që ky nunër të rritet. FSK do të jetë ndërvepruese me partnerët tanë ndërkombëtar. Ju jeni sot këtu për t’u dalë në ballë sfidave. Ushtarët tanë do të jenë aty ku cenohet e drejta dhe siç e dini që FSK-ja është në proces dhe ju ushtarë duhet ta dini se po bartni një uniformë të një shteti që është derdhur gjak”, tha Osmani.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë.

Exit mobile version