UBT News

Betohen 12 kadetë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gradohen nëntogerë

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia solemne e diplomimit dhe betimit të 12 kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë përfunduar me sukses studimet katërvjeçare në programin ushtarak në Qendrën për Studime Universitare pranë Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, si dhe përgatitjen akademike në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Në ceremoni morën pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ceremonia nisi me raportimin zyrtar para udhëheqësve shtetërorë dhe komandës së FSK-së, ndërsa kulmoi me betimin solemn të gjeneratës 2026. Pas betimit, kadetët u graduan me gradën nëntoger, duke u bërë udhëheqësit më të rinj të FSK-së.

Ky diplomim u vlerësua si një moment i rëndësishëm për zhvillimin profesional të FSK-së dhe forcimin e kapaciteteve të saj në përputhje me standardet moderne ushtarake./A.K/

Exit mobile version