Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka zbuluar një përzgjedhje paraprake të dizajneve për kartëmonedhat e reja të euros që pritet të lëshohen në të ardhmen, duke përfshirë figura të njohura të historisë dhe kulturës evropiane, si Ludvig van Beethoven, Mari Kyri dhe Leonardo da Vinci.
Sipas presidentes së BQE-së, Christine Lagarde, këto kartëmonedha do të reflektojnë identitetin e përbashkët evropian dhe diversitetin që e bën Evropën të fortë. “Kultura evropiane feston hapësirat e përbashkëta kulturore që kanë formësuar identitetin evropian gjatë shekujve dhe ‘personalitetet ikonike evropiane'”, tha Lagarde gjatë një njoftimi nga selia e BQE-së në Frankfurt.
Dizajni i kartëmonedhave përfshin figura të njohura si laureatja e çmimit Nobel, Mari Kyri, kompozitori gjerman Ludvig van Beethoven dhe artisti italian Leonardo da Vinci, duke nderuar kështu trashëgiminë kulturore të kontinentit. Në anën e pasme të kartëmonedhave, mund të shfaqen elemente që lidhen me kulturën dhe arsimin, si një bibliotekë ose universitet.
Një tjetër grup dizajnesh do të përqendrohet te “Lumenjtë dhe zogjtë”, duke simbolizuar qëndrueshmërinë dhe diversitetin e ekosistemeve natyrore të Evropës. Ky dizajn mund të përfshijë imazhe të institucioneve evropiane, si Parlamenti Evropian ose Komisioni Evropian, si një mënyrë për të theksuar angazhimin e Evropës për ruajtjen e mjedisit dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore.
“Ne jemi të emocionuar të prezantojmë këto motive që pasqyrojnë angazhimin tonë ndaj Evropës dhe festojnë trashëgiminë e saj kulturore dhe natyrore”, tha Lagarde, duke theksuar rëndësinë e këtyre kartëmonedhave si një simbol të unitetit dhe identitetit evropian./UBTNews/