UBT News

Beteja për kujdestarinë, Sia dhe ish-bashkëshorti përballen për djalin e tyre 19-muajsh

Këngëtarja e njohur australiane, Sia, është përfshirë në një betejë të ashpër ligjore me ish-bashkëshortin e saj, Dan Bernad, lidhur me kujdestarinë e djalit të tyre 19-muajsh, Somersault (i njohur si Summi).

Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, Bernad kërkon kujdestarinë e plotë të fëmijës, duke pretenduar se Sia “nuk është në gjendje të kujdeset për të” për shkak të problemeve me varësinë.

Në padinë e tij, ai cilëson këngëtaren si “rrezik për djalin”, duke përmendur shtrim dyjavor në spital gjatë shtatorit dhe rezultate pozitive në testet për substanca qetësuese.  Ai pretendon se Sia ka shkelur marrëveshjen e kujdestarisë së përbashkët, duke i penguar takimet me djalin.

Nga ana e saj, Sia ka mohuar ashpër akuzat, duke i cilësuar si “të pavërteta dhe me qëllim keqdashës”. Ajo pranon se ka pasur probleme me varësinë “më shumë se 15 vite më parë”, por thekson se prej gjashtë muajsh është “plotësisht e pastër” dhe i nënshtrohet testimeve javore.

Këngëtarja shton se ka qenë gjithmonë kujdestarja kryesore e djalit, ndërsa akuzon ish-bashkëshortin se “nuk punon dhe i kalon ditët në festa dhe jetë nate”.

Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën e Bernad në javët në vijim, për të vendosur përfundimisht kujdestarinë e vogëlushit Summi. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version