Donald Tramp po refuzon të tërhiqet sa i takon emërimeve të kabinetit të tij, në përballjen e parë të një beteje epike kundër estabilishmentit në Uashington, që pritet të nisë kur të marrë detyrën në janar të vitit të ardhshëm.
Ditët e ardhshme do të tregojnë nëse Met Gejtz, Tulsi Gabard, Pit Hexhseth dhe Robert Ef Kenedi Xhunior kanë fuqinë të qëndrojnë deri në konfirmimin e tyre në Senatin e ri republikan.
Secili nga të përzgjedhurit po përballet me kritika për mungesë të ekspertizës dhe eksperiencës për të qeverisur sektorët për të cilët janë caktuar.
Dhe debati mbi perspektivën e tyre po intensifikohet pas zbulimeve dhe dyshimeve mbi të kaluarën e tyre, që do të përbëjë një test për synimin e Trump për të përdorur atë që ai e konsideron pushteti i pakontrolluar i Dhomës Ovale.
Konkretisht, mbi Hexhseth, i emëruar për postin e sekretarit të Mbrojtjes, rëndon dyshimi se ka paguar një grua që e akuzonte për agresion seksual, me qëllim blerjen e heshtjes së saj.
Nën lupë ka përfunduar edhe Gabard, e zgjedhur për të menaxhuar komunitetin e inteligjencës, për të verifikuar nëse është e përshtatshme për këtë detyrë, pas qëndrimeve të saj, që disa herë përforconin propagandën e armikut kryesor të shërbimeve sekrete amerikane, Rusisë.
Gjithashtu, disa ekspertë të hershëm të mjekësisë po ngrenë shqetësime mbi kualifikimin e Kenedi Xhunior për të ruajtur zhvillimet e arritura në mjekësi në gjenerata.
Nga ana e tij, Tramp është i vendosur të mos dorëzohet teksa u kërkon njerëzve që do të përmbushin qëllimet e tij të përçajnë estabilishmentin e Uashingtonit përgjatë mandatit të dytë, i cili pritet të jetë një mandat shpagimi.