Sot, më 15 gusht, besimtarët katolikë nga e gjithë bota kremtojnë të Ngjiturit e Zojës në Qiell, një festë e njohur ndryshe si “Zojën e Madhe” ndër shqiptarët. Kjo ditë është një mundësi për të nderuar Shën Marinë, e cila është e shenjtë për shumë besimtarë.
Sipas të dhënave nga DRTK Shkodër, shqiptarët kanë ndarë një vend të veçantë për Zojën e Madhe në shumë kisha dhe faltore në territorin shqiptar. Kishat më të njohura kushtuar Shën Mërisë përfshijnë atë të Barbullushit në kryedioqezën metropolitane të Shkodër-Pultit, atë të Mamurrasit në kryedioqezën metropolitane të Tiranë-Durrësit, dhe atë të Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës.
Kishat kushtuar Shën Mërisë në trevat shqiptare janë më shumë se një thesar fetar; ato përfaqësojnë gjithashtu identitetin shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve. Në total, janë regjistruar 275 kisha nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., nga të cilat 42 i janë kushtuar Shën Mërisë.
Pjesë e këtij grupi janë kishat në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel dhe Rrenc (Shkodër); Fishtë, Troshan, Kalivaç dhe Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë, Malaj, Ndërshena dhe Ndërfana (Mirditë); si dhe Sebaste (Laç). Kishat e Shën Mërisë, të cilat janë shpallur monumente kulture të kategorisë së parë, përfshijnë kisha të njohura si ajo e Mamurrasit, e Vaut të Dejës, e Shën Mërisë së Borës në Kala Lezhë, dhe e Shën Mërisë në Drisht.
Përveç kësaj, data 15 gusht është e shënuar edhe për komunitetin ortodoks. Në kalendarin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kjo ditë është e njohur si “Fjetja e Hyjlindëses Mari,” e cila simbolizon kalimin e Shën Mërisë në jetën e përjetshme.
Në këtë ditë të shenjtë, besimtarët katolikë dhe ortodoksë bashkohen për të nderuar dhe përkujtuar rolin e Shën Mërisë në besimin e tyre dhe në kulturën shqiptare./UBTNews/