UBT News

​BERZH, 25 milionë euro kredi për impiantin e ri për trajtimin e ujërave të zeza

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i ka ofruar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve një kredi sovrane deri në 25 milionë euro në dobi të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” për përmirësimin e trajtimit të ujërave të zeza, nëpërmjet ndërtimit të dy impianteve për trajtim të ujërave të zeza dhe zgjerimit të rrjetit.

Kjo hua do të financojë ndërtimin e impiantit të parë për trajtim të ujërave të zeza në Podujevë.

Impianti i ri me teknologjinë më të avancuar, do t’i shërbejë një popullate deri në 50 mijë banorë dhe do të zvogëlojë dëmet mjedisore të shkaktuara nga ujërat e zeza të pa trajtuara që lëshohen në lumin e Llapit.

Gjithashtu, projekti do të zgjerojë dhe përmirësojë rrjetin lokal të kanalizimeve të ujërave të zeza, si dhe do të ndërtojë një impiant në shkallë të vogël për trajtim të ujërave të zeza, duke përdorur zgjidhje të bazuara në natyrë.

Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, Sergiy Maslichenko, tha se kjo iniciativë shënon një tjetër hap përpara në rritjen e kapaciteteve të vendit për trajtimin e ujërave të zeza, duke adresuar një nevojë kritike për përmirësimin e higjienës dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

“Së bashku, jemi të përkushtuar për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme që nxisin përparimin afatgjatë dhe një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë”, tha ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se Qeveria e Kosovës tashmë realizuar një sërë projektesh për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurimin e mirëqenies së qytetarëve, duke përfshirë projektet për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.

Ndërsa, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se ndërtimi i këtij impianti do të luajë një rol kyç në uljen e ndotjes së lumenjve dhe ruajtjen e burimeve ujore.

Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) po e mbështet Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina për përgatitjen e projektit duke ofruar një grant prej 270 mijë eurosh.

BERZH-i do t’i ndihmojë kompaninë edhe që të sigurojë bashkëpunim teknik shtesë dhe grante investimi në mënyrë që ta bëjë këtë investim më të realizueshëm dhe të përballueshëm për Qeverinë e Kosovës.

Ky projekt është plotësisht i përafruar me strategjinë e vendit të Bankës për Kosovën, e cila synon të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës më të qëndrueshme dhe më reziliente ndaj klimës.

BERZH-i ka luajtur rol kyç në mbështetjen e përpjekjeve të qeverisë, duke ofruar financim për tri impiante të tjera për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë. BERZH është investitor institucional kryesues në Kosovë, me 770 milionë euro përmes 120 projekteve deri më sot.

Exit mobile version