Ministri kroat i Shëndetësisë Dr. Vili Berosh, thotë se nuk do e harroj kurrë mëngjesin e hershëm të së dielës, dhe trishtimin që ndjeu ai bashkë me familjen kur morën lajmin për aksidentin në Slavonski Brod.
Dr Berosh tregon se si sensi prej mjekut i dha më shumë fuqi për tu mobilizuar dhe për tu dal në ndihmë të lënduarve dhe gjithë të tjerëve që pësuan në aksidentin e së dielës.
Në krye me kryeministrin Kroacisë, Andrej Plenković, shteti kroat mobilizoj të gjitha forcat e nevojshme për të marrë situatën nën kontroll. Dhe Kroacia ia doli.
Gjatë intervistës së tij me KosovaPress, ndër të tjerash ai tha: “Para së gjithash, do të doja të shpreh ngushëllimet e mia për popullin e Kosovës për një tragjedi shkatërruese që tronditi të dy kombet tona. […] Mendimet dhe lutjet e mia janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo katastrofë e tmerrshme. Të dy vendet tona nuk janë të huaja në kohëra të këqija, të cilat janë të njohura për forcën dhe zemrën e madhe. Unë besoj me gjithë zemër se së bashku do ta kalojmë këtë humbje të madhe.
Ai gjithashtu e përshkroi momentin kur për herë të parë u njoftua në lidhje me pasojat e aksidentit.
“Nuk do ta harroj kurrë atë mëngjes të hershëm të së dielës, dhe trishtimin që ndjemë unë dhe familja ime kur morëm lajmin. Unë menjëherë desha të ndihmoja, dhe të nisesha për në Slavonski Brod, të udhëhiqja përpjekjet mjekësore për të ndihmuar pasagjerët dhe të gjithë të prekurit nga aksidenti.
Së pari mora një telefonatë nga Instituti Kroat i Mjekësisë së Urgjencës, i cili siguroi arritjen në vendin e aksidentit. Së bashku me kryeministrin e Kroacisë, mobilizuam të gjitha forcat e nevojshme për të marrë situatën nën kontroll”.
Dr. Berosh shtoi se ishte i befasuar nga reagimet e stafit shëndetësorë ndaj miqve nga Kosova.
“Ajo që nuk kam mundur ta paramendoj ka qenë, solidariteti dhe ndjeshmëria e shfaqur nga të gjithë profesionistët tanë shëndetësor ndaj miqve tanë nga Kosova. Veçanërisht krenohem që kemi siguruar përkthyes në momentin e duhur për të lënduarit. Për këtë unë i jam thellësisht mirënjohës ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, dhe folësve të tjerë të gjuhës shqipe, që jetojnë këtu në Kroaci”.
Ai e qartësoi se miqësia dhe ndihma e dhënë nuk ishte aspak një çështje politike, por një çështje humane, ku sipas tij “madhështia e miqësisë midis Kroacisë dhe Kosovës ka më shumë vlerë se çdo motivim tjetër”.