Avokati i familjes së Arlinda Zekajt, Besnik Berisha, ka deklaruar se seanca gjyqësore ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylajt, është ndërprerë pas një kërkese të paraqitur prej tij.
Berisha ka thënë se në aktakuzën e Prokurorisë, Zekaj nuk është cilësuar si “viktimë e ndjeshme”, duke e vlerësuar këtë si një lëshim serioz.
Sipas tij, ky gabim mund të ketë ndodhur për shkak të ngutisë për të dorëzuar aktakuzën pa u analizuar siç duhet.
“Arsyeja e mosmbajtjes së seancës lidhet me një kërkesë timen pas pranimit të aktakuzës, ku e kam vërejtur një lëshim skandaloz të prokurorit që e ka shkruar aktakuzën, duke mos e cilësuar tani të ndjerën si viktimë të ndjeshme”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar tërheqjen e aktakuzës dhe vlerësimin e ligjshmërisë së saj, duke argumentuar se rasti duhet të rikualifikohet. Sipas tij, ky cilësim do të ndikonte edhe në lartësinë e dënimit të paraparë, i cili, sipas deklarimit të tij, mund të arrijë deri në pesë vjet burgim, në vend të një viti.
Duke folur për arrestimin e katër personave të tjerë lidhur me rastin, Berisha ka thënë se familja ka kërkuar që nga fillimi të hetohen edhe personat që dyshohet se kanë ndihmuar në vrasjen e Arlindës, përfshirë ish-vjehrrën dhe ish-kunatin e saj.
“Ky rezultat për ne nuk është rastësi”, ka thënë Berisha, duke shtuar se, sipas tij, vrasja e Arlinda Zekajt nuk ishte aksident apo incident, por rezultat i një plani të konsultuar më herët./A.K/
