Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka kritikuar sërish kryeministrin Edi Rama në lidhje me nismën e Ballkanit të Hapur.
Ish-kryeministri shqiptar u shpreh se Rama po i nënshtrohet presidentit serb Aleksandër Vuçiq ndërsa Ballkani i Hapur është nismë antishqiptare.
Berisha deklaroi në konferencë për media nga selia e PD-së se Vuçiqi po e përdor Ballkanin e Hapur për t’ju kundërvënë Procesit të Berlinit.
“Nëse sheh protokollet, ai është trajtuar si vasal. Të themi atë që është. Kjo nuk duhet të bëjë përshtypje, se ai është vasal. Vuçiq nuk ka nevojë ta shprehte këtë. Por ajo që dua të them, Ballkani i Hapur është në çdo aspekt, një nismë antishqiptare. Aleksandër Vuçiq, një serbomadh sa Millosheviqi, sa Xhorxheviqi, po e përdor Ballkanin e Hapur në çdo aspekt. Po e përdor për t’iu kundërvu Nismës së Berlinit, për të vendosur hegjemoninë serbe në Ballkan dhe influencën ruse. Po e përdor për të shkatërruar prodhimin në Shqipëri dhe Maqedoni, pasi asnjë rregull nuk është përcaktuar në tregun e lirë”, deklaroi Berisha.
Ish-presidenti shqiptar u shpreh se Rama është bërë argument kryesor i dogmës së ndarjes së shqiptarëve nga serbët, që sipas tyre, shqiptarët që jetojnë në Shqipëri janë të mirë ndërsa ata në Kosovë të kqëij.
“Po e përdor për të dejonizuar politikisht Prishtinën, por kjo i dështoi. I dështoi sepse Perëndimi e ka të qartë se kufiri i tij në Ballkan është kufiri me Kosovën. E përdor në rrafshin psikologjik me doktrinën e vjetër se kemi të bëjmë me dy shqiptarë, ‘shqiptarci’ dhe ‘albanci’, këta të fundit janë të mirë dhe në Shqipëri, kurse ‘shqiptarci’ janë të këqij dhe janë në Kosovë. Kjo është përdorur me dekada nga Beogradi. Rama është bërë argument kryesor i kësaj dogme”, përfundoi Berisha.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron në Beograd në kuadër të samitit të Ballkanit të Hapur. Rama ka vazhduar kritikat ndaj Kosovës për refuzim të Ballkanit të Hapur ndërsa lavdëroi presidentin serb Aleksandër Vuçiq se dha sinjale paqeje me rastine marrëveshjes për dokumente me Kosovën.
Gjithashtu, vendet e nismës së Ballkanit të Hapur, Shqiëpria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nënshkruar 4 marrëveshje bashkëpunimi.