UBT News

Berisha përballë SPAK: Akuzon për mosveprim ndaj korrupsionit dhe krimeve zgjedhore

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në ambientet e SPAK për të zbatuar masën “Detyrim Parqitje” të vendosur nga Gjykata e Apelit e GJKKO. Berisha u prit nga mbështetës të shumtë, të cilët shprehnin solidaritetin e tyre, ndërsa lideri demokrat shfrytëzoi rastin për të akuzuar SPAK si një organizatë kriminale që, sipas tij, mbulon korrupsionin dhe krimet zgjedhore të qeverisë Rama. Në fjalën e tij, Berisha denoncoi neglizhencën ndaj dosjeve si ajo e McGonigal, aferat e inceneratorëve dhe përfshirjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Berisha publikoi dokumente që, sipas tij, dëshmojnë implikime të rënda të ministrit socialist Taulant Balla në bashkëpunim me bandat e Elbasanit gjatë zgjedhjeve të vitit 2021. Ai akuzoi SPAK për amnistimin e këtyre rasteve dhe për mungesën e hetimeve ndaj krimeve të supozuara të përfshira në këto afera. Gjithashtu, ai përmendi mos hetimin e Ymer Lalës, të akuzuar për vrasje, duke e cilësuar këtë si një tjetër provë të dështimit të drejtësisë së pavarur.

Në përfundim, Berisha i drejtoi thirrje qytetarëve të bashkohen kundër, siç e quajti ai, kapjes së shtetit dhe drejtësisë nga qeveria Rama. Ai kritikoi kryeprokurorin Altin Dumani dhe prokurorët e tjerë të SPAK, duke kërkuar ndëshkimin e korrupsionit dhe hetime të paanshme. Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë të tensionuar politike, duke ndezur më tej debatin për pavarësinë dhe integritetin e SPAK.

Exit mobile version