Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha deklaroi se për çështjen e ushqimit në FSK duhet të jap dorëheqje ministri, zëvendësministri e sekretari në Ministri të Mbrojtjes. Në seancën e jashtëzakonshme të ftuar me kërkesë të AAK-së, Berisha u shpreh se situata aktuale është shqetësuese dhe se trajtimi i ushtarëve me neglizhencë paraqet shkelje të rëndë të përgjegjësisë nga ana e qeverisë.
Në seancën e jashtëzakonshme ku nuk po marrin pjesë deputetët e shumicës parlamentare, deputeti Bekë Berisha tha se çështja e ushqimit është me rëndësi dhe ndikon në funksionalitetin e FSK-së.
“Ushtria jonë është krenaria e vendit tonë dhe është simbol i shpresës për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme. Secili ushtar që shërben ka vendosur t’i shërbejë vendit deri në vetëflijim. Nuk janë aty as për privilegje por as për kushte. Ata janë djemtë e vajzat më të mirë të vendit tonë. Megjithatë, duhet të pranojmë që situata aktuale është tepër shqetësuese. Trajtimi i ushtarëve tanë me neglizhencë është një shkelje e rëndë e përgjegjësisë së udhëheqjes së kësaj qeverie. Kriza e furnizimit me produkte esenciale për FSK-në është një sinjal alarmant që kërkon zgjedhje të menjëhershme. Mos të harrojmë ne jemi në një kohë të rrezikshme për sigurinë në rajon dhe është thelbësore që sektori i sigurisë të trajtohet me prioritet dhe dinjitet”, deklaroi ai.
Në emër të deputetëve nënshkrues, Berisha shtoi se “nuk ka lojë me ushtri” dhe se duhet të plotësohen kushtet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Si mund të jemi të sigurt nga kjo mazhorancë që do të avancojë planin 10-vjeçar të transformimit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s nëse nuk arrin të menaxhojë as furnizimin me ushqim për ushtarët tanë. Prandaj ne sot kërkojmë një përgjigje të qartë nga qeveria, sot kërkojmë zgjedhje të menjëhershme dhe urgjente. Ushtarët nuk duhet të jenë të shqetësuar se a kanë ushqim gjatë ditës dhe se me çfarë kualiteti ju servohen shujtat. Ata duhet të jenë të preokupuar vetëm me pjesën e detyrave që i kanë. Një ushtar nuk duhet të ketë shqetësim ushqimin, uniformën, mungesën e veshmbathjeve. Nëse ju e quani vetën qeveri këto gjëra nuk lejohet të ndodhin, besa nuk kanë ndodhur në asnjë qeveri më herët”, shtoi Berisha në seancë plenare.
Berisha përmendi edhe Dejona Mihalin, e më tej kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes.
“Këtë tender, këta tenderë, këta të ushqimit, këtu ish fitimi i madh. Nëse tenderi është 10 euro, me tri euro po u kryjshin obligimet, tjerat shkojnë nëpër xhepa të njerëzve që unë i di. Unë sot e kom një kallabllak dokumente e informacione. Plot aty. Edhe i di të gjitha, ashtu qysh i dimë plot ne. Mirëpo, që katër vjet mandat duke dashur me ruajt ushtrinë, plot gjëra që i kemi ditur nuk i kemi folur dhe i kemi mbrojtur dhe e dinë këta që janë në qeveri. Por tash shtrohet pyetja, nëse ka mbërri Dejona Mihali me hy në Ministri të Mbrojtjes, çka nuk dinë komshiu, tëra i di. Ne mundemi me ia mbajt të fshehtë njëri-tjetrit, ajo tëra i ka treguar. Se qëllimi i saj është që me i dit tjetër kush. Për tërë këtë neglizhencë, sot është dashur të jap dorëheqje ministri, zëvendësministri, sekretari i zgjedhur jashtëligjshëm, për këta deputetë që janë në klub ata që i organizojnë këto gjëra”, përfundoi Berisha.