Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, deputeti Bekë Berisha, e ka quajtur dokument të dobët Strategjinë Kombëtare të Sigurisë për periudhën 2022-2027.
Në vazhdimin e seancës, deputeti nga AAK-ja e quajti këtë strategji “dokument frankshtajn”. Megjithatë për qëndrimet e deputetit Berisha ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“Dokumenti i fundit që paraqiti kryeministri për strategjinë, është një dokument “dokument frankështajn”, i përbërë prej dokumenteve paraprake që kanë qenë të dobëta, mirëpo këtu sikur është përforcuar pakë me një fjalim të kryeministrit. Neve na thanë që e kemi shqyrtuar, mirëpo ky dokument na ka ardhur si dokument i gatshëm. Ky dokument i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë nuk është dokument sekret. Këtë strategji kanë të drejtë ta komentojnë qytetarët, deputetët, por mbi të gjitha edhe Komisioni për Siguri. Ky dokument është mbajtur fshehtë prej Komisionit për Siguri dhe prej meje”, theksoi Berisha.
Deputeti Berisha tha se Qeveria e Kosovës, Strategjinë për Siguri e ka dorëzuar në komision vetëm pasi është shqyrtuar nga kryeministri, duke anashkaluar Komisionin për Çështje të Sigurisë.