Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konferencë për shtyp të mbajtur këtë të mërkurë , kërkoi nga FBI që të hetojë mënyrën se si janë përdorur fondet amerikane në Shqipëri.
“Në hierarkinë e shpërdorimit të fondeve të taksapaguesve amerikanë dhe pasurimit të elitave të ekstremit të majtë në vende të ndryshme të botës, Shqipëria është një rast flagrant. Delina Fico, bashkëjetuesja aktuale e ministrit Blendi Çuçi dhe ish-bashkëjetuesja e kryeministrit Edi Rama, ka përfituar shuma të konsiderueshme përmes projekteve të USAID-it”, deklaroi Berisha.
Sipas Berishës, këto fonde janë përdorur për të ndikuar në pushtetin e sistemit të drejtësisë. “Delina Fico dhe këshilltarët e saj ligjorë kanë siguruar shërbime për Gjykatën e Lartë dhe sistemin e drejtësisë, duke përfituar rreth dhjetë milionë euro në mënyrë të paligjshme nga fondet e USAID-it. Madje, paga e saj është dyfish më e lartë se ajo e ambasadorit të SHBA në Shqipëri,” theksoi ai.
Berisha i bëri thirrje FBI-së të realizojë një hetim të detajuar për të zbardhur abuzimet me fondet në nivelet më të larta të shtetit shqiptar.
“E kuptoj se censura ndaj këtyre abuzimeve është e fortë, por unë nuk po merrem me asgjë tjetër veçse me fondet e taksapaguesve amerikanë, të cilat janë keqpërdorur në mënyrë të tmerrshme. Përgjegjës për këtë janë Edi Rama dhe Blendi Çuçi,”shtoi ai.
Duke kritikuar kontrollin politik mbi drejtësinë, Berisha u shpreh se një prokurori e pavarur do të kishte nisur hetime menjëherë për këto abuzime. Ai gjithashtu paralajmëroi një auditim të plotë të fondeve, të kryer nga ekspertë shqiptarë dhe amerikanë, dhe u angazhua për kërkimin e mbajtjes së përgjegjësisë ligjore.