Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për gazetarët të mbajtur këtë të premte ka kritikuar ashpër qeverinë për ndërhyrjen në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Reagimi i tij vjen ndërkohë që në Prishtinë është zhvilluara seanca e përbashkët mes dy kuvendeve Kosovë-Shqipëri.
Ai ka cilësuar çdo përpjekje të Shqipërisë për të ndërmjetësuar në këtë çështje si antikombëtare dhe bllokuese. Berisha theksoi se propozimet dhe qëndrimet e Edi Ramës kanë sjellë “vendnumëro” dhe acarime mes Kosovës dhe Serbisë.
“Çdo ndërhyrje të Shqipërisë në problemin e dialogut Prishtinë-Beograd e konsideroj antikombëtare. E konsideroj absolutisht bllokuese dhe jo nxitëse për zgjidhjet.
Të gjitha propozimet e Edi Ramës, qëndrimet e bashkërenduara me Aleksandër Vuçiçin si argat i tij, kanë sjellë vendnumëro në procesin e negociatave, madje edhe acarime serioze midis këtyre dy vendeve.
Shqipëria nuk mund të jetë as ndërmjetës, as pjesëmarrës. Shqipëria qëndron në anën e Kosovës.
Shprehet për dialogun, por çdo hap tjetër i Shqipërisë e dëmton dialogun. Nuk ka asnjë tagër qeveria e Tiranës të japë formula apo skema, aq më tepër një qeveri që shpallte Dnjepër veriun e Kosovës.
Aq më tepër një qeveri, e cila i thoshte Kosovës nënshtrohu ose do shkosh në kohën e bronzit. Aq më tepër një njeri, që i vendosi i pari në Europë sanksione Kosovës. Aq më tepër një njeri, i cili u përzie në plane për ndarjen, copëtimin e Kosovës me Beogradin. Një njeri që përkrahu Ballkanin e Hapur, një projekt të qartë ruso-serb.
Por ka një zhvillim pozitiv këtu. Qeveria aktuale e Kosovës ka dëshmuar meritën për t’i shumëzuar me zero, për t’ia kthyer reston Pashiqit të Tiranës, njëlloj si Pashiqit të Beogradit”,-u shpreh Berisha.