UBT News

Berisha ankohet në Kushtetuese për votat e Iniciativës Rome

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe tek Institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me votat e partisë “Romani Iniciativ”, në vendbanimet e komunitetit me shumicë serbe në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Berisha pret që Gjykata Kushtetuese të veprojë në formën më të shpejt të mundshme, pasi sipas tij, dëmet që iu janë shkaktuar komunitetit egjiptian janë të mëdha.

“Unë pres dhe besoj fuqishëm në profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese që përfundimisht këtë dukurinë e orkestrimit dhe këtë tendencën me marrë Lista serbe shtetin e Kosovës në ‘dorë’, besoj që Gjykata Kushtetuese do ta jep fjalën e fundit”, tha ai.

Ish-deputeti Berisha që po i konteston votat e deputetit Fadil Gashi nga “Romani Iniciativ”, thotë po e kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Supreme dhe të PZAP-së, siç tha për faktin që ai vendim ka qenë i mangët, i njëanshëm dhe i padrejtë ndaj egjiptianëve.

“Nëse nuk ndryshon komuna e Graçanicës ka me mbetur prapë vatra e orkestrimit të manipulimit të votave, ku pasojat prapë do të jenë të mëdha. Në momentin kur u kërkua vota për t’u votuar presidentja, deputeti i iniciativës rome erdhi në ditën e dytë, jo në ditën e parë. Sigurisht që këtu qëndron diçka mbrapa”, tha Berisha.

Ai po ashtu tha se vet fakti që iu kanë anuluar 900 vota kësaj iniciative, tregon që ka pasur orkestrim të votave, dhe për këtë iu kanë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta vërtetuar kushtetuetshmërinë e vendimit edhe të Gjykatës Supreme.

Berisha po ashtu ka dorëzuar ankesë edhe tek Avokati i Popullit, për shkak që siç tha ai, me këto veprime të institucioneve ka elemente të shkeljeve të të drejtave të njeriut që janë bërë nga PZAP dhe Gjykata Supreme. 

Exit mobile version