UBT News

Bëni kujdes nga patatet e skuqura, rrezikojnë kaq shumë shëndetin tuaj

Sipas një studimi të publikuar në British Medical Journal, ngrënia e patateve të skuqura tri herë në javë rrit për 20 për qind rrezikun për të zhvilluar diabet të tipit 2, ndërsa pesë herë në javë e çon në 27 për qind.

Patatet e ziera, të pjekura apo të bëra pure rrisin rrezikun vetëm me 5%, që është dukshëm më pak.

“Patatet mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme, por mënyra si i përgatisim bën ndryshimin”, tha doktoresha Kawther Hashem nga Queen Mary University of London. Ajo ka shtuar se patatet e  ziera, të pjekura nuk përmbajnë shumë yndyrë ndërkohë që përmbajnë fibra, vitaminë C dhe kalium.

“Kur i skuqim në vaj, i shoqërojmë me kripë, ato bëhen të pashëndetshme dhe kontribuojnë në shtim peshe e rrezik më të madh për diabet”, tha doktoresha.

Studimi u krye nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh të udhëhequr nga doktori Seyed Mohammad Mousavi i Universitetit Harvard, mbi 205,000 profesionistë shëndetësorë në SHBA, nga 1984 deri 2021. Ata plotësuan pyetësorë për mënyrën e ushqyerjes çdo katër vjet.

Patatet e skuqura janë të pasura me niseshte, kanë indeks të lartë glikemik, gjë që ndikon në nivelin e sheqerit në gjak. Procesi i skuqjes ul përmbajtjen e lëndëve ushqyese të patateve dhe rrit kaloritë, yndyrën dhe kripën.

Studimi ka treguar se zëvendësimi i patateve me drithëra të plota, si orizi ngjyrë kafe, bullguri apo makarona integrale, ulin rrezikun për diabet me 8 për qind.

Nëse zëvendësohen patatet e skuqura me drithëra, rreziku ulet me 19 për qind.

“Ky hulumtim përforcon mesazhin e thjeshtë: shijoni patatet, por mos e ktheni pataten e skuqur në zgjedhjen tuaj të përditshme. Kur është e mundur, zëvendësojini me drithëra të plota apo me patate të ëmbël me lëkurë”, ka thënë Hashem.

Studiuesit kanë deklaruar se studimi është vëzhgues dhe nuk provon shkak-pasojë, por tregon lidhje mes mënyrës së gatimit e rrezikut për sëmundje.

Exit mobile version