Ambasadorja e Sllovenisë në Prishtinë, Minca Benedejçiq, deklaroi sot se vendi i saj do të vazhdojë të përkrahë procesin e integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.
Ajo me rastin e dorëzimit të letrave kredienciale te presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se do të angazhohet në forcimin e mëtutjeshëm të raporteve bilaterale në mes të dy shteteve, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor.
Ndërsa, presidentja Osmani ka thënë se Sllovenia shërben si një shembull i mirë për t’u ndjekur nga Kosova në rrugëtimin e vet drejt Bashkimit Evropian dhe zhvillimit të përgjithshëm si shtet dhe shoqëri demokratike.
Ajo po ashtu ka theksuar se pret përkrahje nga Sllovenia, si shtet i cili mban Presidencën e BE-së, që të përkrahë Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.