Modelja e njohur Bella Hadid ka ndarë me ndjekësit e saj një mesazh të ndjerë në rrjetet sociale, duke folur hapur për betejën e gjatë me ankthin dhe depresionin.
Me shumë sinqeritet e ndjeshmëri, ajo iu drejtua atyre që përballen me sfida të ngjashme emocionale, duke ndarë reflektime personale dhe fjalë motivuese për forcën dhe shpresën.
“Kur barra bëhet shumë e rëndë dhe e ardhmja duket e zymtë, është në rregull të pushosh për një moment… Ndonjëherë, mbijetesa është prioritet,” – shkroi Bella.
Mesazhi i saj nënvizon rëndësinë e pranimit të emocioneve dhe kujdesit ndaj vetes në periudha të vështira. Hadid pranoi se është ndjerë e paralizuar nga ankthi dhe depresioni, edhe pse nga jashtë gjithçka dukej në rregull.
“E kam mbajtur këtë barrë për vite me radhë. Ndonjëherë bëhet aq e rëndë, sa më mbërthen edhe pse askush nuk e vëren,” – rrëfeu ajo.
Modelja i inkurajoi ndjekësit të ndalen, të marrin frymë dhe të fokusohen te momenti i tanishëm: “Mos u humbni duke menduar për të ardhmen… momenti i tanishëm është e tëra që keni.”
Në fund të postimit, Bella dha një mesazh ngushëllues dhe mbështetës për të gjithë ata që ndihen të vetëm në këtë betejë të brendshme:
“Për të gjithë ju që përballeni me të njëjtat ndjenja çdo ditë – nuk jeni vetëm. Dhe ju dua shumë.” /A.Z/UBT News/