Jeta e ‘mbretëreshës së pop-it’ do të prekë ekranin! Është konfirmuar zyrtarisht bashkëpunimi i Madonna-s me Netflix, për të krijuar një serial biografik, i cili do të tregojë jetën dhe karrierën e yllit Madonna.
Këngëtarja do të jetë producentja ekzekutive e serialit, së bashku me Shawn Levy, regjisori i “Stranger Things”.
Madonna e Levy kanë qenë duke diskutuar për projektin “prej kohësh,” por janë në fazat fillestare të zhvillimit.
Kështu, mbetet ende e panjohur se në cilën periudhë të jetës dhe karrierës së Madonnës do të fokusohet seria.
Thuhet se dyshja po “fillojnë nga e para,” pasi ky serial është i ndarë nga filmi biografik që Madonna po zhvillonte me Universal Pictures në vitin 2022. Filmi u ndërpre pasi ajo njoftoi turneun “Celebration” në vitin 2023.
Në korrik 2024 ajo tregoi se projekti i filmit ishte rikthyer, duke publikuar një video në Instagram ku punonte mbi një skenar. Por, duket se projekti u anulua dhe Madonna postoi në Instagram një pyetje për ndjekësit.
“Unë nuk kam pasur një jetë normale. Nuk mund ta bëj këtë në mënyrën normale. A duhet ta bëj historinë e jetës sime si një seri apo një film artistik?”.
Duke qenë se tanimë është konfirmuar se jeta e saj do të tregohet në serial, ndoshta filmi nuk do të realizohet.
Kush do të jetë në rolin e Madonna-s?
Meqenëse historia nuk është përcaktuar, as kasti për serialin nuk u konfirmua. Raportohet se Julia Garner, e përzgjedhura e supozuar e Madonna-s për filmin, “me shumë gjasa do të luajë Madonnën,” në varësi të disponueshmërisë së saj.
Garner ka mbajtur kontakte me ekipin e Madonnës, madje iu bashkua asaj në skenë si një “gjyqtare” e performancave “Vogue” gjatë turneut “Celebration”.
Garner e fitoi rolin kundër disa aktoreve të reja, si Florence Pugh, Alexa Demie, Odessa Young, Emma Laird, Bebe Rexha dhe Sky Ferreira, të cilat zhvilluan një proces rigoroz audicionesh që shumë e quajtën “Kampi i Stërvitjes së Madonna-s”
Madonna ende nuk ka konfirmuar nëse do të marrë rolin e regjisores ose shkrimtares në këtë serial të ri.