Gjykata Speciale po mundohet që të fshehë paaftësinë e saj, përmes aksioneve e bastisjeve të njëpasnjëshme në Kosovë, po vlerëson ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami. Ai tha se bastisjet e së hënës nga Specialja te ish-kreu i AKI-së, Bashkim Smakaj dhe Blerim Shala janë të paarsyeshme.
Gjithë këto veprime ai shton se po bëhen me të vetmin qëllim rrënimin e shtetit e institucioneve të Kosovës.
“Bastisja në shtëpinë e Bashkim Smakajt dhe konfiskimi i telefonit të Blerim Shalës është e pa precedent e pa pranueshme dhe turp për Gjykatën Speciale e cila po dëshmon që me aksione të tilla po mundohet të fshehë paaftësinë e saj për të dëshmuar fajësinë e krerëve të UÇK-së në Hagë dhe përmes aksioneve të tilla po mundohet ta mbulojë atë që nuk mbulohet dhe që kjo Gjykatë e ka për qëllim rrënimin e shtetit të Kosovës, rrënimin e institucioneve të Kosovës mbi të cilat Kosova është ndërtuar”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Shala dhe Smaka kanë dhënë kontribut për shtetndërtimin e Kosovës. Madje shprehet i bindur se kjo Gjykatë nuk ka burgje për të mbajtur të gjithë shqiptarët që janë në gjendje ta mbrojnë të vërtetën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Edhe zotëri Shala, edhe zotëri Smakaj, kanë një trashëgimi shumë të madhe në ndërtimin e institucioneve të pa varura dhe demokratike të Republikës së Kosovës, kanë dhëne një kontribute të pashlyeshëm për lirinë, pavarësinë dhe për shtet-ndërtimin e Kosovës, prandaj inskenimet e tilla nga Gjykata Speciale kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve të Kosovës, por ata nuk kanë as Polici nuk kanë as Prokurori nuk kanë as burgje për të mbajtur të gjithë shqiptarët që janë në gjendje të mbrojnë të vërteten e lirisë të mbrojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi ai tutje.