“Edukimi mediatik duhet të përfshihet në planprogramet mësimore shkollore”. Kështu u tha në përfundim të sesionit trajnues në Ferizaj, ku u diskutua me temën “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për nxënësit nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë”.
Të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian të shkollave të mesme kanë ndarë përvojat e tyre, ku treguan për rastet kur janë atakuar me lajme të rreme.
Rreth 20 nxënës nga Ferizaj, në grupe të ndara, kanë ilustruar rastet e informimit keqdashës, lajmit të rremë, keqinformimit e propagandës që bëhen nga mediat në Kosovë.
Profesori Emin Sadiku nga shkolla ekonomike “Faik Konica” thotë se të rinjtë e komuniteteve po atakohen në masë të madhe nga lajmet e rreme.
“Nxënësit shpesh ka mundësi debatojnë mes vete përmes rrjeteve sociale, nganjëherë mund të vie edhe deri tek ndonjë ngatërresë e vogël, shtyrje apo sharje apo ndonjë mosmarrëveshje…vijnë si pasojë e keqinformatave dhe keqpërdorimeve që mund të bëjnë”, tregon ai.
Ai flet edhe për rastet se si pas pushimeve, nxënësit kanë paqartësi nëse do të rifillojë mësimi, si shkak i shpërndarjes së dezinformatave.
“Kur përfundojnë pushimet dimorore, ka raste nganjëherë ku si shkak i keqinformimit thuhet “jo s’po fillojmë këtë të hëne, jo shtyhet mësimi’. Këto raste shkaktojnë ndonjëherë huti tek nxënësit e tek të rinjtë”, shton ai teksa flet për raste të keqinformimit.
Teksa flet për trajnime mbi edukimin mediatik, ai konsideron se të tillat ndihmojnë të rinjtë që të arrijnë të identifikojnë lajmet e rreme dhe të mos bijnë pre e tyre.
Ndërkaq sipas trajneres Linda Baleta, edukimi mediatik duhet të përfshihet në programet mësimore shkollore në mënyrë që të rinjtë të kenë sa më shumë njohuri rreth rrezikut që vijnë nga lajmet e rreme.
“Ajo çfarë kemi identifikuar gjatë këtyre sesioneve që nga fillimi i këtij projekti, është sa e madhe është nevoja që të rinjtë dhe jo vetëm të rinjtë por edhe grupmoshat e tjera të kenë sa më shumë njohuri rreth rrezikut dhe kërcënimit qe na vjen nga lajmet e paverifikuara, nga lajmet e pavërteta dhe nga dezinformata. Ndoshta është koha që të mendohet seriozisht që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet mësimore shkollore”, shprehet ajo.
Më tej, ajo thekson se në sesionet trajnuese është identifikuar nevoja e madhe që të rinjtë e komuniteteve të arrijnë të dallojnë lajmin e pavërtetë.
“Programi ‘edukimi mediatik’ e ka fokusin tek të rinjtë që vijnë kryesisht nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian, duke qenë edhe kërkesa e Ambasadës amerikane. Ne kemi qenë në shumë komuna dhe do të vazhdojmë të shkojmë edhe në komuna të tjera, akoma nuk kanë përfunduar. I mbulon të gjitha komunat e Kosovës, besoj që do të jemi të paktën një herë në secilin qytet për t’u takuar me të rinjtë e këtyre grupmoshave dhe profesorët e tyre të cilët po ashtu bëhen pjesë e trajnimeve”, përfundon Baleta.
Gjatë së enjtes, të rinjtë e shkollave të mesme në Ferizaj janë trajnuar në lidhje me burimet e informatës, me synimin që të zhvillojnë mendimin kritik sa i përket përmbajtjeve mediatike.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.