Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke vlerësuar shprehjen e vullnetit demokratik të qytetarëve.
Përmes një postimi publik, Begaj ka theksuar se qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar pjekuri demokratike duke votuar për institucione të reja që do ta qeverisin vendin. Ai ka uruar që ky besim i dhënë me votë të shndërrohet në përgjegjësi të plotë institucionale.
“Uroj dhe besoj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një të ardhme të begatë, të drejtë dhe evropiane”, ka deklaruar presidenti i Shqipërisë.
Begaj ka theksuar gjithashtu rëndësinë e stabilitetit institucional dhe bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të demokracisë.
