Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa tha se ka ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Kosovës.
Siç njofton Presidenca shqiptare, gjatë bisedës me homologen e Kosovës, Begaj përshëndeti vendimin e matur, që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e vendimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët.
“Vendimi shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonin tonë, pas agresionit rus në Ukrainë”, citohet Begaj.
Presidenti Begaj nënvizoi se, Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacenueshëm.
Presidenti i Shqipërisë tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtarë, për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv, do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë,” nënvizoi Begaj gjatë bisedës telefonike me Osmanin.