Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të gjetur një zgjidhje përfundimtare.
Ai ka thënë se NATO është e pranishme dhe e merr shumë seriozisht situatën në Kosovë. Ai është deklaruar pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin ka diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Begaj ka theksuar se Kosova ka vizion të qartë euroatlantik dhe sipas tij, do të ishte vlerë e shtuar e Aleancës.
Në një konferencë për media, Stoltenberg ka thënë se i vlerësojnë diskutimet e zhvilluara mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, kjo është rruga e vetme për stabilitetin në Kosovë.
“Aleatët janë të angazhuar që të vazhdojnë të kontribuojnë dhe të sigurojnë vijimësinë e pranimit në Kosovë. Me fjalë të tjera ka një prani të konsiderueshme të NATO-s në Kosovë, e cila ka rezultuar të jetë e rëndësishme për shumë vite. Ne punojmë paralelisht me Bashkimin Evropian në Kosovë. Personat e KFOR-it bëjnë mbështetjen e përpjekjeve diplomatike të Bashkimit Evropian dhe ne vlerësojmë gjithashtu edhe diskutimet e organizuara kohëve të fundit në BE, në lehtësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. NATO do të vazhdojë që të lehtësojë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sepse mendojmë që kjo është rruga e vetme drejtë zgjidhjes dhe stabilitetit në Kosovë. Tani kemi një mundësi historike dhe që mund të jetë më përfitim për të gjithë rajonin, kështu që ne presim qasjen konstruktive dhe është e rëndësishme që të gjitha palët tani më të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. Është e rëndësishme që palët të dëshmojnë gatishmëritë të qartë në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje përfundimtare. Sigurisht çdo zgjedhje duhet të ketë parasysh respektimin e të drejtave të njeriut, vlerën demokratike, reformat e brendshme dhe marrëdhënie e fqinjësisë së mirë. Pra, NATO-ja është e pranishme në Kosovë. Ne e marrim situatën aty shumë seriozisht dhe ne e mbështesim fort dialogun evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.
Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se siguria në Kosovë është siguri për Evropën dhe NATO-n.
“Vlerësoj maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e NATO-s në rajon dhe misionin KFOR, si një histori suksesi. KFOR, është garantues i paqes dhe i sigurisë në Kosovë dhe rajon. Ne jemi duke kaluar kohë të sfidave të mëdha, të cilat kërkojnë vendime të guximshme dhe të drejta. Në këtë kontekst është në bindjen time se është më se e justifikueshme për ta konsideruar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Aleancën Euro-Atlantike”, ka thënë Begaj.
Ai ka përsëritur se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur me vizion të qartë për t’u integruar në familjen euroatlantike.
“Pavarësisht progresit të bërë në drejtim të integrimit euroatlantik, rajoni vijon të karakterizohet nga zhvillime komplekse gjeopolitike dhe të sigurisë. Rusia përbën kërcënim domethënës dhe direkt ndaj NATO-s dhe Ballkanit Perëndimor. Ajo ka rritur përpjekjet e saj influencuese duke përdorur metoda të luftës hibride, financimeve të paligjshme etj. Qëllimi i saj është prishja e paqes, stabilitetit dhe bllokimin e reformave euroatlantike të vendeve të rajonit. Kemi ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Republikës së Kosovës në fund të vitit të kaluar. Shqipëria përshëndet dhe mbështet dialogun Serbi-Kosovë. Që nga viti 2008, Republika e Kosovës është një vend sovran dhe i pavarur me vizion të qartë për t’u integruar në familjen euroatlantike. Plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve është një hap pozitiv që do duhet të qendërzohet në njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Begaj.
Në këtë konferencë të përbashkët, ndër të tjera, Stoltenberg ka thënë se Shqipëria luan rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, që sipas tij është rajon me rëndësi strategjike për NATO-n.