UBT News

​Begaj: Sulmi terrorist të Banjskës tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë

Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më.

Kështu ka thënë presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në cermoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ku tha se rijetësimi i kësja baze ajrore shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit dhe të gjithë rajonit tonë.

Kreu i Shtetit i shprehu mirënjohjen të gjithë aleatëve në NATO, veçanërisht partnerit strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

“Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë. Baza ajrore taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt. Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku”, shtoi ai.

Sipas presidentit, “Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për Aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës”.

Po ashtu, Begaj nënvizoi se “për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, ky është një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite”.

“Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike. Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më”, theksoi ai.

Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, Kreu i Shtetit theksoi se “ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit”.

Ndaj, sipas tij, “baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme”.

“Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë. Rritja e buxhetit për mbrojtjen, modernizimi i forcave tona të armatosura, rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe fuqizimi i kapaciteteve njerëzore janë domosdoshmëri. Unë mbështes çdo nismë që qeveria ka ndërmarrë për mbështetjen sociale të personelit të Forcave të Armatosura sepse të jesh pjesë e Forcave të Armatosura nuk është vetëm një profesion, është krenari kombëtare, i shërben Atdheut dhe kauzës së lartë të paqes dhe sigurisë”, tha presidenti Begaj.

Exit mobile version